Genc Fuga, aktori dhe regjisori i njohur shqiptar ka pësuar një goditje në tru dhe po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjale në një spital privat.
Operacioni kushton 19 mijë euro dhe shuma është e pamundur për tu përballuar nga familja e cila kërkon ndihmë.
Vetë bashkëshortja Enerjeta Fuga përmes një postimi në facebook kërkon ndihmën e kolegëve por dhe të gjithë atyre që munden të solidarizohen për të përballuar këtë shifër për operacionin.
"Nuk qenka e lehtë por në këto momente e kam domosdoshmëri.
Genci po kalon një periudhe të vështirë. Ka pësuar një goditje në tru dhe në këto momente po kryen ndërhyrje në spitalin.... Do i lutesha të gjithë punonjësve të Rtsh nëse munden dhe kush mundet të ofrojë një kontribut prej 200 lekë të rinj për të patur mundësinë të kem shumën 19 mije euro të operacionit.
Ndjese dhe konsiderete...." shkruan Enerjeta Fuga në facebook.
I lindur në Vlorë më 24 maj 1971 Genc Fuga ka interpretuar shumë role në skenën e Teatrit Kombëtar. Gjithashtu është dhe pedagog në Akademinë e Arteve. Ai është i martuar me aktoren Enerjeta (Eni) Jani dhe është babai i dy vajzave të vogla.