Finalizohet operacioni policor i koduar “Aksi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Shkodër.

 

U kap në flagrancë duke transportuar, kundrejt pagesës, drejt kufirit me Malin e Zi, 13 shtetas të huaj që i kishte marrë në Sarandë, vihet në pranga drejtuesi i automjetit.

 

Sekuestrohen automjeti (furgon), 2 aparate celulare, 22 000 lekë dhe 450 euro.

 

 

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionit policor të koduar “Aksi”.

 

Gjatë operacionit, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur “Beltojë”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit (furgon) me drejtues shtetasin A. K. Në këtë automjet ishin pasagjerë 13 shtetas të huaj (nga Bangladeshi dhe India), të cilët dyshohet se shtetasi A. K. i kishte marrë në Sarandë dhe po i transportonte, kundrejt pagesës, në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me qëllim që ata të kalonin në vendet e BE-së.

 

Automjeti tip “Huyndai” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare, 22 000 lekë dhe 450 euro.

 

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K., 66 vjeç, banues në Shkodër.

 

 

Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.