Qeveria shqiptare ka shpallur të hënën ditë zie kombëtare në shenjë solidariteti për mijëra personat që humbën jetën nga tërmeti në Turqi.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama kujton edhe ndihmën që Turqia i dha vendit tonë kur u godit nga tërmeti i 26 nëntorit në vitin 2019.

Reagimi i Ramës:

Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë DITË ZIE KOMBËTARE në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë.  Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë.