U konfiltuan fizikisht në ambientet e një lokali, për motive të dobëta, dhe qëlluan në ajër me armë zjarri, falë veprimeve të shpejta hetimore, Policia identifikohen të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë konflikt.

 

 

2 prej tyre janë vënë në pranga, 2 janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 1 është shpallur në kërkim.

 

Sekuestrohen 2 armë gjahu, 1 krehër arme zjarri pistoletë, 1 shenjestër optike për snajper, 1 automjet dhe 1 aparat celular.

 

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në një lokal në plazhi e Bunecit, në Himarë, disa shtetas ishin konfliktuar fizikisht dhe kishin qëlluar me armë zjarri në ajër, kanë organizuar menjëherë punën me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë konflikt. Falë veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur finalizimi i operacionit policor të koduar “Buneci”, në kuadër të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

 

-E. V., 42 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosja” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” (aktualisht ndodhet në spital, në ruajtje nga shërbimet e Policisë, pasi ka pësuar dëmtime fizike gjatë konfliktit);

 

-N. L., 44 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”.

 

U shpall në kërkim shtetasi A. V., 46 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosja” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Punohet për kapjen e tij.

 

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, për shtetasit N. L., 40 vjeç, dhe A. L., 38 vjeç, të dy banues në Himarë.

 

Nga veprimet hetimore dyshohet se për motive të dobëta shtetasit E. V. dhe A. V. (kushurinj) janë konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasit N. L. dhe A. L. (vëllezër), dhe më pas i kanë kanosur këta të fundit, duke qëlluar me armë zjarri në ajër, në ambientet e lokalit të shtetasit N. L., i cili ka tentuar ta fshehë ngjarjen.

 

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. L. u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë gjahu, ndërsa në banesën e shtetasit E. V., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 krehër arme zjarri pistoletë, 1 shënjestër optike për snajper. Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje janë sekuestruar 1 automjet tip “Audi” dhe 1 aparat celular.

 

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.