Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

 

Rritja e eksporteve të prodhimeve bujqësore ka nxitur shtimin e sipërfaqeve të mbjella në gjithë territorin e vendit, kjo falë edhe aplikimit të skemave mbështetëse për fermerët.

 

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjete sociale pamje nga tokat e punuara në Frakull të Fierit, ku çdo vit e më shumë shtohen sipërfaqet e mbjella me drithëra e kultura të tjera bujqësore.

 

Bujqësia është një nga sektorët e ekonomisë shqiptare me dinamikë zhvillimi në rritje.

 

Investimet për rehabilitimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit kanë ripërtërirë sipërfaqe të tëra tokash bujqësore, ndërsa skemat mbështetëse nga qeveria kanë nxitur fermerët të shtojnë sipërfaqet e mbjella.

 

Falë punës kolosale të bërë në gjithë këto vite për rehabilitimin e sistemit kullues e vaditës, në gjithë zonën e Myzeqesë ka më shumë kanale të riaktivizuara, më shumë toka të ujitura dhe më shumë prodhime cilësore.

 

Përveç investimeve në bujqësi, skema e naftës falas dhe masat e mbështetjes për fermerët, i kanë dhënë mundësi fermerëve të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin përdorimin e mekanizimit, aq më tepër në këtë periudhë të vështirë të krijuar nga rritja e çmimeve të mallrave të importuara.