Policia e Vlorës vijon operacionin për lirimin e hapësirave publike. Në Dhërmi, në kuadër të operacionit “Game Over” u procedua penalisht një 20 vjeçar, teksa i’u sekuestruan 4 makineri për lojëra fëmijë, të vendosura në shëtitoren e plazhit pa autorizimin e organeve kompetente.

 

“Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve të kryera ndaj operatorëve ekonomikë që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në vijën bregdetare, shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Himarës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Game Over”, si rezultat i të cilit u evidentua dhe u godit një tjetër rast i pushtimit të hapësirave në plazhe, në kundërshtim me ligjin.”, njofton Policia e Vlorës.

 

“Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 20 vjeç, banues në Dhërmi, pasi në shëtitoren e Dhërmiut, kishte vënë pa leje nga organet kompetente, 4 makineri për lojëra për fëmijë, pajisje të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Kontrollet dhe verifikimet vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare.”, përfundon Policia e Vlorës.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.