Në kuadër të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të cilat do të zhvillohen në datën 14 maj, institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur punën për monitorimin paraprak të përgatitjeve për procesin zgjedhor.

 

Avokati i Popullit rekomandon garancitë e të drejtës së votës për qytetarët në mënyrë të lirë, të fshehtë dhe të pakushtëzuar, me akses të garantuar të qytetarëve në qendrat e votimeve dhe në veçanti për personat me aftësi të kufizuara, PAK.

 

“Në procedurën e votimit të drejtpërdrejtë, hapja e qendrave të votimit në të gjitha vendet e përcaktuara duhet të shoqërohet me sigurimin e logjistikës së nevojshme, e cila mundëson dhe lehtëson, votimin për të gjithë kategorinë e personave PAK”, rekomandon AP.

 

Mbi këtë bazë vlerësimi, duke analizuar të gjithë legjislacionin specifik në fuqi, në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në vitin 2021, institucioni i Avokatit të Popullit i ka rekomanduar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (Komisionit Rregullator) përmirësimin, në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, para zgjedhjeve të ardhshme për organet e qeverisjes vendore, të Udhëzimit nr.1 datë 5.12.2020, “Përcaktimi i rregullave për ngritjen, caktimin dhe njoftimin e vendndodhjes së qendrave të votimit dhe përgatitjen e hartës së njësisë së vetëqeverisjes vendore për zgjedhjet”, të miratuar nga Komisioni Rregullator, në KQZ.

 

Po ashtu Avokati i Popullit ka kërkuar shtimin e parashikimeve të detajuara në këtë udhëzim, të cilat kanë të bëjnë me krijimin e lehtësive për votimin e personave me aftësi të kufizuar, në qendrat e votimit, si dhe për çështjet e parashtruara në rekomandimin nr. K1/S4-2 datë 06.04.2021 të Avokatit të Popullit.

 

Në të njëjtën kohë, Avokati i Popullit, thekson se rekomandimi kërkon parashikimin e një mekanizmi efektiv për kontrollin e përmbushjes së kritereve ligjore nga ana e organeve përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilët synojnë krijimin e kushteve të përshtatshme në qendrat e votimit, për ushtrimin lirisht të së drejtës së votës nga ana e personave më aftësi të kufizuar.