Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Gazment Koduzi reagoi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në lidhje me atë që e cilësoi kaosin e krijuar nga zjarri i një jave më parë në Urgjencën e QSUT-së.

Sipas tij, MSHMS nuk dha asnjë përgjigje për mungesën e shërbimeve.

“Nëpërmjet një deklarate të QSUT tregohet sesi pacientët dhe qytetarët që kanë nevojë për kujdes shëndetësor të spitali qendror, po trajtohen si pasagjerë që janë në aeroplan, i cili nuk mund të ulet për shkak të kohës së keqe, dhe i dërgon ne aeroporte të tjera”, u shpreh Koduzi.

“Ministria e Shëndetësisë në radhë të parë duhet t’i shpjegojë shqiptarëve pse një spital i inaguruar më pak se 1 vit më parë, ku janë akomoduar 14 shërbime, del jashtë funksionit për shkak të një shkëndije elektrike?”, tha ai.

“Vetëm një program realist, që reformon sistemin shëndetësor, siguron shëndet dhe dinjitet, i përgatitur nga PD, mund të rikthejë besimin e qytetarëve dhe personelit mjeksor të sistemi shëndetësor”, përfundoi Koduzi./ata