Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka theksuar domosdoshmërinë e veprimeve konkrete nga përfaqësuesit politik për të mos përsëritur zgjedhjet e njollosura nga problematikat.

 

Gjatë fjalës së saj një ditë më parë në takimin e 12-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri mbajtur në Tiranë, Tabaku kërkoi që SPAK të përcaktojë një Prokuror Special për të hetuar krimin zgjedhor.

 

“Së pari, ne ndodhemi dy muaj nga dita e zgjedhjeve vendore. E për të mos përsëritur zgjedhjet e njollosura nga problematika e ndërhyrjes brutale politike sa në menaxhimin e procesit ashtu dhe në përfshirjen e elementëve jashtë politikë në të, si blerja e votave dhe përfshirjen e krimit të organizuar, ne duhet të tregojmë vullnetin politik jo në letër, jo me fjalë po me veprime konkrete. Prandaj, shfrytëzoj mundësinë e dhënë sot për t’i kërkuar drejtuesit të SPAK, z. Dumani, përcaktimin e një Prokurori Special që do të mund të hetojë krimet zgjedhore dhe ato ndërlidhje që njollosën raportet e BE për vendin tonë”, deklaroi Tabaku.

 

Gjithashtu, deputetja e opozitës vuri në dukje se në raportet e Komisionit Europian, ka qenë një problem çështja e emigracionit masiv dhe azilkërkuesve që prekin tokën e vendeve anëtare.

 

Sipas saj, kjo është sfida e ekonomisë dhe politikës shqiptare.

 

Tabaku shprehet se një nga problemet e rëndësishme që i shtyn shqiptarët drejt largimit masiv është korrupsioni.

 

“Përkrah nismave ligjore, si paketa anti-korrupsion propozuar nga Partia Demokratike, ne duhet të kemi dhe vullnetin politik për të zbatuar ligjin dhe për të mbrojtur interesin publik dhe kushtetutën në rastin e luftës kundër korrupsionit. Kjo luftë duhet të jetë një prioritet kombëtar nga Kuvendi”, ka nënvizuar deputetja e PD-së.