Të paktën 20.665 njerëz kanë humbur jetën dhe 80.088 të tjerë janë lënduar nga dy tërmetet e forta që goditën Türkiye-n jugore të hënën, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

 

Tërmetet e me magnitudë 7,7 dhe 7,6, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş, u ndien nga 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

 

Tërmetet u ndien në disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin.

 

AFAD tha në një deklaratë se në terren aktualisht po punojnë më shumë se 166.000 pjesëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit.

 

Gjithsej 92.700 njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti, tha agjencia.

 

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan dje tha se Türkiye po përballet me një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë e saj.

 

Për të inspektuar përpjekjet e kërkimit, shpëtimit dhe ndihmës, Erdoğan ka vizituar deri më tani provincat Kahramanmaraş, Hatay, Adana, Gaziantep, Osmaniye, Kilis, Adıyaman dhe Malatya, ku ka takuar të prekurit nga tërmetet.

 

Parlamenti turk të enjten miratoi gjendjen e jashtëzakonshme tremujore për të përshpejtuar përpjekjet e ndihmës.

 

Vendi po mban gjithashtu shtatë ditë zie kombëtare pas katastrofës.

 

Ngushëllime kanë ardhur nga e gjithë bota, duke shprehur solidaritet me Türkiye-n, ndërsa shumë vende kanë dërguar ekipe shpëtimi dhe ndihmë.