Nxehtësia me temperatura rekord dhe moti ekstrem kanë qenë të pranishme gjatë muajit korrik, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se vala e të nxehtit nuk ka përfunduar ende.
Bota është përballur me nxehtësi dhe vërshime vdekjeprurëse dhe me zjarre të egra, por ende nuk ka sinjale se situata është duke u përmirësuar.
Qendrat për parashikimin e motit në Evropë dhe Amerikë kanë paralajmëruar se muajt gusht dhe shtator do të jenë më të nxehtë se zakonisht.
“Ne po shohim në mbarë botën ndryshime të paprecedentë. Nuk është befasi që rekordet të vijojnë të thyhen”, tha shkencëtari I NASA-s për klimën Gavin Schmidt.
Shkencëtarja e klimës në Kolegjin Mbretëror të Londrës, Friederike Otto deklaroi se ndryshimet klimatike kanë shkaktuar mot me ekstremitete të ndryshme në të njëjtat vende.
Korriku u konstatua si muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, ku temperaturat përvëluese ishin prezente për javë të tëra.
Si pasojë e situatës së papërballueshme u shënuan edhe viktima, një rekord të cilin e mban Spanja me 1000 persona të vdekur, shifër e publikuar nga autoritetet vendase.
Nga ana tjetër kryesisht Kina dhe Italia u përballën me dy ekstremitetet të motit, por pasojat më të rënda erdhën si pasojë e stuhive.
Italia pati breshër dhe stuhi, ndërsa në kinë tajfuni “Doksuri” po vijon të shkaktojë dëme të mëdha. Vërshimi i ujit në rrugë ka marrë çdo gjë me vete, ndërsa shirat e furishëm vijojnë ende.
Në Indi të paktën 100 persona humbën jetën nga shirat që shkaktuan vërshime dhe rrëshqitje të dheut.
Shirat e pakta në Greqi dhe Spanjë nxitën zjarret masive, lufta ndaj të cilave u dëshmua se ishte shumë e vështirë. Mijëra persona u evakuuan në një kohë rekord, pasi përhapja e flakëve ndodhi me shpejtësi. Në mes të sezonit turistik, turistët braktisën pushimet e tyre, për shkak të rrezikut.
Në gjendje të vështirë vijon të mbetet edhe Kanadaja, e cila prej muajsh po përballet me numër të lartë vatrash aktive, situatë që nuk është vënë ende nën kontroll.
Detet dhe oqeanet kanë kapur rekordet e tyre të temperaturave, më të lartat të shënuara ndonjëherë.
Shumë vende të botës u përballën me katastrofa natyrore, që shkaktuan pasoja të rënda. Stina e verës përfshiu temperatura ekstremisht të larta, teksa u shënuan rekorde të cilat kanë ardhur si pasojë e ngrohjes globale.