Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i mbledhur këtë të martë i dha mandatin krye-bashkiakut Edison Memolla, fitues i zgjedhjeve në Bashkinë e Rrogozhinës të mbajtura më 23 korrik 2023.
Pas përsëritjeve të zgjedhjeve në bashkinë e Rrogozhinës, kandidati i Partisë Socialiste Edison Memolla arriti të fitonte mandatin përballë kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha me 1 752 vota diferencë. Konkretisht, pas numërimit të 54 kutive të votimit Memolla mori 6 658 vota, kundrejt 4 906 votave të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Shkëlqim Hoxha.
KQZ sot miratoi dhe projektvendimin “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Dibër, me kandidatin nga lista shumemërore të “Partisë Social Demokrate”, zj. Marjana Bashkim Kadria”. Po ashtu, KQZ miratoi projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Lezhë, me kandidatin nga lista shumemërore të “Partisë Kristian Demokrate”, z. Shtjefën Llesh Lleshi”.