Universiteti i Tiranës nënshkroi sot deklaratën e përbashkët me 6 universitete europiane në kuadër të aleancës UNINOVIS.
 
Rektorët e shtatë universiteteve partnere të aleancës UNINOVIS (European University data for L.I.F.E), Universiteti Sorbonne Paris Nord, Francë, Universiteti i Shkencave të Aplikuara, Tampere Finlandë, Universiteti i Shkencave të Aplikuara Würzburg-Schweinfurt, Gjermani, Universiteti i Malagës, Spanjë, Universiteti i Campania-s “Luigi Vanvitelli”, Itali dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Kaunasit, Lituani, me praninë e Dekanëve të fakulteteve të UT-së, nënshkruan deklaratën e përbashkët e cila përcakton misionin dhe qëllimet afatgjata të aleancës.
 
Universiteti Evropian (UNINOVIS DATA FOR L.I.F.E), i cili do të ketë zyrën e tij fizike në Universitetin partner Sorbonne Paris Nord, Paris, Francë, do mundësojë bashkëpunimin midis universiteteve partnere si dhe me partnerët e asociuar (Universiteti i Shkencave të Palikuara në Hague, Hollandë, Universiteti Teknik i Austrisë, etj., institucione shtetërore qendrore, lokale, biznesin, etj) në secilin shtet përkatës, për zhvillimin e programeve të reja, kërkimin shkencor, ofrimin e shërbimeve dhe rritjen e kapaciteteve në funksion të zhvillimit akademik, ekonomik, teknologjik, social dhe kulturor.
 
Studentët dhe personeli akademik i Universitetit të Tiranës do të kenë mundësinë të jenë pjesë e programeve të përbashkëta apo të dyfishta midis universiteteve të aleancës si dhe do të mund të kryejnë një pjesë të studimeve të tyre në njërin nga universitetet partnere.
 
Gjithashtu, diploma e përbashkët do ju mundësojë studentëve të zgjedhin universitetin në të cilin duan të zhvillojnë një pjesë të studimeve të tyre, praktikën dhe aktivitete të tjera mësimore – shkencore.
 
Personeli i Universiteteve të aleancës do të angazhohen në zhvillimin e projekteve në fushat prioritare lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.
 
Po ashtu, rektori i Universiteti të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha dhe Rektori i Universitetit Sorbonne Paris Nord Francë, Prof. Dr. Christophe Fouqueré nënshkruan marrëveshjen ndërinstitucionale Erasmus+, e cila do të mundësojë shkëmbime të përbashkëta për studentët në të gjitha ciklet e studimit dhe personelit akademik, personelit ndihmës akademik/administrativ, duke filluar nga viti akademik 2023-2024.
 
Marrëveshja u nënshkrua në vazhdën e bashkëpunimeve midis dy institucioneve, për diploma të dyfishtë master në Natural Language Processing, si dhe projektet e ndryshme bilaterale midis personelit akademik të UT-së dhe USPNS-së./ata