Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar ditën e sotme dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

 

Sipas Presidentes Osmani, dhënia e nënshtetësisë ikonës së letrave shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare është nderim për shtetin e Kosovës.

 

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, citon Osmani.

 

Dekreti i nënshtetësisë, shkrimtarit Kadare do t`i dorëzohet nga presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet së shpejti në Shqipëri.

 

Kujtojmë që presidentja Osmani, në qershor të këtij viti e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.