Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), kanë ndarë çmimet vjetore të "Praktikës më të mirë në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve".
Për të pestin vit me radhë janë ndarë mirënjohje dhe çmime për institucionet, individët dhe organizatat joqeveritare më të suksesshme në promovimin e shumëgjuhësisë zyrtare në Kosovë.
Fitues të këtij viti janë komuna e Shtërpcës, Ferizajt dhe Istogut, gazetari Budimir Niçiq nga Qendra Mediale në Çagllavicë, dekania e Fakultetit të Filologjisë e Universitetit të Prishtinës për hapjen e Studimeve Ballkanike dhe një grup aktivistësh nga komuniteti rom për lobim për futjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim në komunën e Prizrenit.
Ndarja e çmimit u bë në bazë të monitorimit të përdorimit të gjuhëve zyrtare në ueb-faqet zyrtare duke përfshirë edhe rrjetet sociale të institucioneve përkatëse.
Komisioneri për Gjuhët në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Slavisha Mladenoviq, tha se shumica e institucioneve në Kosovë, nuk e zbatojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
"Shumë fitues të çmimeve të mëparshme kanë përkeqësuar ndjeshëm performancën e tyre gjatë një ose dy viteve të fundit. Personalisht, madje më vjen turp për faktin se ministritë dikur më të mira sot janë shumë shpesh në shënjestër të kritikave nga media, komuniteti ndërkombëtar dhe sektori joqeveritar dhe që pavarësisht rekomandimeve tona, pavarësisht thirrjeve tona, ato nuk e përmirësojnë performancën e tyre", tha Mladenoviq.
Ai theksoi se në mesin e fituesve të këtij viti, përveç institucioneve, ka edhe përfaqësues të mediave dhe sektorit joqeveritar, të cilët i quajti kampionë të vërtetë sepse prej shumë vitesh janë duke avokuar në mënyrë aktive për përmirësimin e Ligjit për Përdorimi i Gjuhëve duke raportuar, lobuar dhe duke kontribuar çdo ditë në përmirësimin e zbatimit të këtij ligji.
Një nga fituesit e çmimit është gazetari Budimir Niçiq, i cili tha se mediat përballen çdo ditë me problemin e mosrespektimit të shumëgjuhësisë. Ai tha se ankesat e gazetarëve për shkak të mungesës së përkthimit shpeshherë zgjidhen për gjysmë ore, por disa zgjasin me vite.
"Le të themi se ju shkoni në komunën e Prishtinës, nuk keni asnjë mbishkrim në gjuhën serbe, asnjë formë në gjuhën serbe dhe kur një serb apo dikush që nuk kupton shqip, ai kërkon ndihmë nga njerëzit që presin atje gjithmonë ka njerëz të mirë që ndihmojnë, se ai do të plotësojë formularin, por kjo nuk është një zgjidhje, ky problem duhet të zgjidhet sistematikisht", tha Niçiq.
Dekania e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Lindita Rugova, tha se në Fakultetin e Filologjisë ekziston programi i Ballkanistikës, por që fokusin kryesor e ka në gjuhet zyrtare në Kosovë.
Ajo tha se së shpejti, do të fillohet me dy kurse në gjuhën shqipe, dy në gjuhën serbe dhe një, për herë të parë, në gjuhën rome.
"Kur e kemi filluar programin e ballkanistikës ideja ka qenë që të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, ta mësojmë më mirë gjuhën e njëri-tjetrit, të afrohemi me gjuhën e njëri-tjetrit", theksoi Rugova.
Në Kosovë ekzistojnë dy gjuhë zyrtare, shqipja dhe serbishtja, ndërsa në disa komuna, në varësi të strukturës së popullsisë, si gjuhë zyrtare përdoren edhe gjuha turke, boshnjake dhe gjuha rome./aa