Policia spanjolle ka shkatërruar bandën shqiptare të trafikut të lëndëve narkotike në provincën e Alicante.
Mediat e huaja shkruajnë se në kuadër të këtij operacioni kanë rënë në pranga 9 persona të cilët ishin pjesë e kësaj bande që drejtohej nga një xhaxha dhe nipi i tij.
Në lidhje me këtë bandë hetimet nisën në dhjetor të vitit të kaluar, kur Garda Civile mori informacion për praninë e një organizate kriminale me origjinë shqiptare të dedikuar për kultivimin e marijuanës në ambiente të mbyllura në provincën e Alicante.
Në fazën e parë, tre plantacione marijuane u vendosën në shtëpi në zona ekskluzive të Alteas, Castalla dhe Alicante, ku kriminelët kërkonin të kalonin pa u vënë re. Pas vëzhgimeve të njëpasnjëshme, agjentët kanë arritur të identifikojnë anëtarët e grupit kriminal dhe të zbardhin rolet dhe funksionet e tyre.
Nën menaxhimin e bandës ndodhej xhaxhai dhe nipi i tij, të dy shqiptarë dhe të konsideruar si drejtues të grupit, të cilët kishin edhe një urdhër arresti dhe ekstradimi ndërkombëtar nga Italia. Nën komandën e tij, ishin pesë burra të ngarkuar për mbikëqyrjen dhe kujdesin e plantacioneve, duke garantuar gjithashtu sigurinë kundër grabitjeve të mundshme nga bandat e tjera. Dy persona të tjerë ishin në krye të detyrave logjistike.
Gjatë katër kontrolleve të njëkohshme që u kryen në Alicante, Altea dhe Castalla, organizata kriminale u çmontua. U arrestuan nëntë shtetas me kombësi shqiptare, greke dhe italiane, të moshës 21 deri në 58 vjeç. Gjithashtu janë sekuestruar 2 armë zjarri, 1592 bimë marihuanë, 1005 euro para të gatshme, material për kultivim dhe 2 mjete motorike të tipit të lartë.
Në banesa, kriminelët për t’i bërë plantacionet më efikase dhe fitimprurëse kishin bërë lidhje klandestine në rrjetin elektrik, duke i shkaktuar një dëm ekonomik prej 196.782 euro kompanive të energjisë elektrike.
Në momentin e arrestimit, njëri prej drejtuesve tentoi të arratisej nga një ballkon, por më në fund u ndalua nga agjentët në tarracën e një shtëpie aty pranë.
Të arrestuarit së bashku me provat e marra i janë vënë në dispozicion gjykatës , e cila ka urdhëruar burgosjen e 8 prej anëtarëve të bandës, mes të cilëve edhe dy drejtuesit.