Partia Demokratike kërkoi sot anulimin e koncesionit të “check-up”.

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, me anë të një deklarate për mediet u shpreh se, “PD ka denoncuar që në krye të herës koncesionin e kontrollit shëndetësor bazë, check up, si një nga më të korruptuarit, më të dështuarit.

 

“Check up, është tregues i modelit që Edi Rama ka ngritur në Qeverisje. Koncesioni i parë në shëndetësi, që hapi rrugën për 3 të tjera që shkatërruan cdo shtyllë të shëndetësisë. Check up u përgatit, hartua, tenderua, jo duke pasur në vëmendje interesin publik, por vetëm interesin e privatit, pra të Vilma Nushit”, tha ajo.

 

Sipas saj, shkeljet janë të shumta.

 

“Sipas kërkesave të tenderit për check-up duhet që personat që do t’i nënshtrohen kontrollit do të lajmërohen më postë dhe telefon nga ana e koncesionarit. Ndërkohë që aktualisht I gjithë ky proces kryhet nga personeli shëndetësor, duke abuzuar me fondin e përcaktuar për lajmërimin, që është pjesë e kostos së “check-up” për çdo person.

 

Kostos totale të “check-up” i shtohet edhe kosto e fshehur e punës së kryer nga personeli shëndetësor, mjek dhe infermiere.  Nuk mjaftoi kjo, por në 2018, mjekut të familjes ju vu pikë e veçantë në kontratë në vlerësimin e tyre, arritja e targetit për numrin e analizave të “check-up”. Një shkelje flagrante qe vendos shëndetësinë në dispozicion të interesave të rrezikshme që i përkasin klaneve pranë kryeministrit”, theksoi Vokshi.

 

Sot, shtoi deputetja e PD, “çdo gjë kryhet nga stafi i Qendrave Shëndetësore që punojnë me ditë e javë të tëra vetëm për “check-up”, duke mos u impenjuar në funksionet e tjera të Qendrave Shëndetësore – pa pagesë shtesë. Madje i është hequr edhe shpërblimi vjetor”.

 

“Partia Demokratike ka kërkuar anulimin e koncesionit të “check-up” dhe 7 milionë eurot që i jepen çdo vit klientes së Edi Ramës të programohen për rritjen e shërbimit në spitale. 7 milionë Euro të konçesionit të dështuar të “check-up”, do të mjaftonin për t’u siguruar kurat dhe mjekimet e munguara të sëmurëve me kancer, që shpesh dergjen në mëshirë të fatit pa asnjë shpresë dhe detyrohen që të paguajnë çdo kursim të tyre ose të marrin kredi për t’i siguruar ato në spitalet private. 7 milionë euro të koncesionit të dështuar të “check-up” do të mjaftonin për të rritur pagat dhe për të siguruar shpërblime për të gjithë mjekët dhe infermierët që punojnë në kushte skandaloze dhe që, shpesh përballen me zemërimin e drejtë të të sëmurëve apo të afërmve të tyre se nuk u sigurojnë dot mjekimin e duhur”, tha Vokshi.

 

“Për kohë sa Edi Rama të jetë në pushtet, Qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë shtrenjtë korrupsionin. Përsa kohë Edi Rama të jetë në krye të qeverisë, shëndetësia do të jetë vetëm për pak njerëz që kanë mundësi të paguajnë. Përsa kohë Edi Rama është në krye të qeverisë, me taksat tuaja do të vazhdoni të paguani shtrenjtë korrupsionin dhe klientelizmin e kësaj qeverie të kapur në interesa të pista personale. Përsa kohë ky njeri është kryeministër, nuk do t’ju lënë as ankoheni, sepse ai e blen pushtetin”, u shpreh ajo.

 

“Inkurajojmë SPAK, që ashtu si inceneratorin e Tiranës, të sekuestroje edhe djegësin e parave publike të Vilma Nushit”, përfundoi deklaratën e saj deputetja Vokshi.