Kryeministri Edi Rama deklaroi se, sot ka pakëz dritë në tunelin e kërkimit të drejtësisë për 21 janarin.

Në fjalën e tij të mbajtur në Kryeministri në përvjetorin e 21 Janarit, ku ishin të pranishëm edhe familjarët e 4 viktimave të 21 Janarit 2011, Rama u shpreh se, “shumë të dashur familjarë të Dëshmorëve të Atdheut që humbën jetën padrejtësisht në 21 janar, pas plot 13 vitesh nga 21 janari tragjik, sot ky përkujtim që na mbledh përsëri si çdo vit në këtë familje të ngushtë ka pakëz më shumë sesa thjesht shpresë në errësirën e plotë të tunelit të kërkimit të drejtësisë, gjatë gjithë këtyre viteve”.

Prandaj, theksoi kryeministri, “sot, ndryshe nga herët e tjera, ne jemi së bashku, jo vetëm për të përkujtuar, por edhe për t’i thënë këto fjalë sepse ka më në fund, përveç sesa thjesht shpresë, pakëz dritë në rrugën e gjatë të këtij tuneli”.

“Fjalët e shpresës tonë sot nuk dalin vetëm nga dëshira e paepur për të mos iu dorëzuar errësirës mbytëse të sistemit të vjetër të drejtësisë, por edhe nga shenjat reale të zgjimit të drejtësisë, edhe për 21 janarin”, tha Rama.

“Njëra shenjë e këtij zgjimi të shumëpritur është e drejtpërdrejtë. Vendimi kuptimplotë i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, i cili e cilëson 21 janarin, e zeza mbi të bardhë, si krim shtetëror të pa hetuar, duke u bërë kështu i pamundur të lexohet me dy kuptime, sipas dëshirës së kërkuesve të drejtësisë për 21 janarin, këtu në këtë rreth të pandashëm kujtese dhe në shoqërinë shqiptare, apo dëshirës së mbytësve të drejtësisë për 21 janarin në politikën shqiptare dhe në Prokurorinë e rrethit gjyqësor të Tiranës”, tha Rama.

“Shenja tjetër e zgjimit të drejtësisë është veprimtaria e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila së fundmi ka hyrë në një fazë të re, kuptimplotë, duke e thyer më në fund akullin e shtresëzuar prej 100 e kusur vitesh mes shtetit shqiptar dhe drejtësisë”, theksoi Rama.

“Mes të dyjave qëndron sot një datë, e shpallur nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë 27 shkurt 2024. Pak më shumë sesa një muaj prej sot, do të marrim vesh nëse dosja e gjakut të 21 Janarit do t’i kalojë për shqyrtim SPAK-ut, për të hapur për sëmbari hetimin e krimit shtetëror në bazë të vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, apo do të vazhdojë të mbetet e mbyllur, Zoti e di përsa kohë akoma, në barkun e madh të  Prokurorisë pa shtyllë kurrizore të rrethit gjyqësor të Tiranës”./ata