Një qytetar me inicialet E.K., është ndaluar nga policia rrugore në Tiranë në “Rrugën e Kosovarëve”, pasi udhëtonte me makinë me xhama të errët.
Polici i ka kërkuar drejtuesit të mjetit t’i tregojë autorizimin për xhamat e errësuar, ndërsa ky i fundit, duke qenë se një autorizim të tillë nuk e kishte, kërkoi t’i shmangej masës administrative duke i ofruar para policit.
Për këtë rast u referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Njoftimi i policisë
Shkon në 68 numri i drejtuesve të automjeteve, të cilët kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e detyrimeve ligjore apo të masave administrative.
Gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore kanë ndaluar në Rrugën e Kosovarëve, automjetin me xhama të errësuar, me drejtues shtetasin E. K. Në momentin që punonjësit e Policisë i kanë kërkuar autorizimin për xhamat e errësuar, shtetasit E. K., ai ka tentuar t’i korruptojë ata, duke iu ofruar një shumë parash, me qëllim shmangien e masës administrative, sepse xhamat e zinj të automjetit i kishte vënë pa autorizimin përkatës.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.