Një 30-vjeçar ka rënë në pranga e policisë së Tiranës, pasi akuzohet se ftonte shtetas të huaj me pretendimin se do t’i punësonte në Shqipëri, por i kalonte drejt vendeve të BE. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se bëhet fjalë për të riun me inicialet shtetasi E. G.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Rinas, operacioni policor i koduar “Kontrata”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Ftonte shtetas të huaj, në Shqipëri, me pretendimin për t’i punësuar si futbollistë dhe më pas i ndihmonte ata, kundrejt pagesës, që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me vendet e BE-së, vihet në pranga 30-vjeçari. Procedohen penalisht 9 shtetas të huaj që kishin ardhur në Shqipëri, me qëllim për të kaluar drejt vendeve të BE-së, me ndihmën e 30-vjeçarit.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve me vendet e BE-së, nëpërmjet tranzitimit në territorin shqiptar, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontrata”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. G., 30 vjeç, banues në Tiranë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi E. G., në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar, siguronte ftesa fiktive për shtetas të huaj, kryesisht nga Bregu i Fildishtë, për të ardhur në Shqipëri, me pretendimin për qëllime punësimi. Pasi shtetasit e huaj vinin në Shqipëri, 30-vjeçari i ndihmonte ata, kundrejt fitimit, për t’u larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për 9 shtetasit e huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.