Sipas informacioneve Banka e Shqipërisë ka vendosur zyrtarisht të rrisë shumën e planifikuar të blerjeve të valutës, mes 220 dhe 300 milionë eurove për vitin 2023.

 

Para se të kishte luhatje në këmbimin valutor, intervali i shumës së blerjes së valutës në fillim të këtij viti ishte prej 160-220 milionë eurosh.

 

Guvernatori, Gent Sejko, tha të mërkurën e kësaj jave në një deklaratë për mediat se Banka e Shqipërisë ka blerë 170 milionë euro deri tani, duke kaluar kufirin e poshtëm të intervalit fillestar vjetor.

 

 

Vetë Sejko tha se do të ndërhyhet në kursin e këmbimit të monedhës vendase, nëse do të dëmtohet funksionimi normal i tregut.

 

Vlen të kujtojmë se ndërmarrjet eksportuese, ekspertët e ekonomisë, bizneset i kanë bërë thirrje prej disa muajsh Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në kursin e këmbimit pasi sipas tyre forcimi i Lekut mund të çonte ndërmarrjet e tyre drejt falimentimit.

 

Në javët e fundit, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut, ka pasur luhatje të shumta me rënie dhe rritje të forta.

 

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të enjten me 104.7 lekë, në rritje me 2.75 pikë krahasuar me ditën e mërkurë.