Një qiradhënës në Shkodër ka gjetur trupin e dekompozuar të një 39-vjeçari nga Korea e Jugut brenda banesës në të cilën ai jetonte me qera.

 

Sipas uniformave blu, dyshohet se shtetasi i huaj kishte humbur jetën disa muaj më parë.

 

Nga informacionet zyrtare mësohet se nuk janë konstatuar shenja dhune në trup, por dyshohet se shtetasi D.K. ka humbur jetën nga mbidoza e lëndëve narkotike pasi në banesë janë gjetur disa doza të dyshuara të lëndëve narkotike.

 

“Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka marrë njoftim nga shtetasi A. V., 38 vjeç, se në banesën që kishte lënë me qira, në lagjen “Naim Gjylbegu”, kishte gjetur të dekompozuar trupin e shtetasit D. K., 39 vjeç (qiramarrësi), lindur në Korenë e Jugut dhe banues në Shkodër (që nga muaji shkurt i vitit 2022).

 

Sipas deklarimeve të 38-vjeçarit, ai kishte shkuar në këtë banesë, pasi prej muajsh nuk kishte përgjigje nga qiramarrësi i saj, shtetasi D. K., dhe kur ka konstatuar trupin e dekompozuar të këtij shtetasi, ka njoftuar menjëherë Policinë.

 

Nga këqyrja paraprake e trupit të 39-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa nga kontrollet e imtësishme në këtë banesë, janë gjetur disa doza të dyshuara të lëndëve narkotike. Paraprakisht dyshohet se shtetasi D. K. e ka humbur jetën nga mbidoza e lëndëve narkotike”, tha policia.

 

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.