Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për ndërtimin e kullës në qendër të Tiranës, e cila do të jetë më e larta në Ballkan.

 

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se në një periudhë 2 vjeçare, në Shqipëri pastrohen 1.6 miliard euro në sektorin e ndërtimit.  Ai thotë se kjo nuk mund të ndodhë pa dijeninë e kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.

 

Më tej ai hedh akuza të rënda duke u shprehur se qeveria, bashkia dhe trafikantët e drogës janë ortakë mes tyre.

 

Sa i takon ndërtimit të kullës në qendër, Bardhi thekson se është e domosdoshme ndërhyrja e drejtësisë për të hetuar procedurat e marrjes së lejes, pronarët reale, si dhe burimet e financimit.

 

Postimi i Gazment Bardhit

 

“Qeveri—bashki-trafikantë, koha që SPAK të hetojë lejet për kullat dhe resortet!

 

Ka një llogari të institucioneve të specializuara se në një periudhë 2 vjeçare, në Shqipëri pastrohen 1.6 miliard euro në sektorin e ndërtimit.

 

A mund të ndodhë kjo pa dijeninë e 2 njerëzve që japin lejet kryesore të ndërtimit, Edi Ramës dhe Erion Veliajt? Përgjigja është: Jo, kurrë! Kushdo që orienton debatin, duke anashkaluar këtë fakt, i shërben parasë së pistë.

 

Këtë qendrim kemi mbajtur si grup parlamentar, edhe në korrik, kur u diskutua nisma e koleges Jorida Tabakut për të përmirësuar ligjin kundër pastrimit të parave. Nuk ka asnjë dyshim, se ata që janë ortakë në pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit, nuk mund të pranojnë veprimin e ligjit kundër tyre. Prandaj, jemi sot vendi ku qeveria, bashkia, të korruptuarit dhe trafikantët e drogës janë ortakë mes tyre me leje ndërtimi dhe pastrimi parash.

 

Si një nga deputetët që kam ngritur vazhdimisht zërin dhe kam sjellë fakte për denoncimin e përfshirjes së qeverisë dhe bashkisë në biznesin e pastrimit të parave përmes kullave shumëkatëshe ripërsëris thirrjen për SPAK-un që të tregojë se është më i fuqishëm se korrupsioni politik dhe se krimi i organizuar.

 

2 vjet më parë, SPAK-u hapi një hetim, pasi në përgjimet e Antimafias italiane u zbulua se lejet e ndërtimit në Tiranë jo vetëm blihen me para të pista, por ndërtimi i kullave, me firmën e Ramës dhe Veliajt, shërben për pastrimin e parave të krimit të organizuar.

 

Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë çfarë po bëhet me këtë hetim. Heshtja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe e SPAK-ut nuk i shërben interesit publik.

 

Nisja për ndërtimin e kullës më të lartë në Ballkan në qendër të Tiranës, duke zaptuar një tjetër hapësirë të gjelbër, ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen e drejtësisë për të hetuar procedurat e marrjes së lejes, pronarët reale, si dhe burimet e financimit. Dhe jo vetëm për këtë rast. Duhet hetuar çdo leje e ngjashme në Tiranë dhe në Bregdetin e Shqipërisë, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë veshur kostumin e investitorit strategjik”-shkruan Bardhi.