Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha gjatë një interviste në media foli për vulën e PD ku rikonfirmoi angazhimin për t’i shkuar deri në fund rrugës ligjore. Ai theksoi se Partia Demokratike nuk është klubi “Partizani” që të rrëmbehet nga një person, duke iu referuar dosjes për të cilën është nën akuzë nga SPAK kryetari i PD, Sali Berisha.

Basha gjithashtu tha se është e domosdoshme që shqiptarët, pavarësisht përkatësisë politike, të kenë një alternativë përballë qeverisjes aktuale. Ai shtoi se programi i demokratëve euroatlantikë që është esencialisht kombëtar dhe euroatlantik, do të jetë para të gjithë shqiptarëve.

“Nuk mund të pranojmë padrejtësinë të kthehet në një standard në këtë vend, aq më shumë kur bëhet fjalë për diçka që nuk mund të privatizohet apo të rrëmbehet nga një person i vetëm. Nuk mund ta pranojmë këtë. Partia Demokratike nuk është klubi Partizani. Kështu që ne do të bëjmë betejën tonë ligjore deri në fund, dhe njëkohësisht do të ndjekim të gjitha hapat që alternativa jonë, që është një alternativë esencialisht kombëtare dhe euroatlantike, të jetë para të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Basha.

“Që shqiptarët, të djathtë, të majtë qofshin, të zhgënjyer me këtë qeverisje, të mllefosur me këtë qeverisje mos të mbeten në kafazin o Rama, o Berisha. Do të ketë alternativë, alternativa do të jemi ne me programin tonë dhe me ekipin tonë” – tha Basha./ata