Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetin social “Instagram” një meme që tregon se si ka ndryshuar koha dhe si është realiteti i qytetarëve shqiptarë dhe italianë.
Memeja e publikuar simbolizon ardhjen në Shqipëri të shumë turistëve italianë, e cila ka tërhequr vëmendjen e medias italiane.
La Repubblica shkruan: Italianët ikin nga çmimet e shtrenjta, kryeministri shqiptar ironizon me një meme sociale: “Eksodi në të kundërt”
“Në përvjetorin e zbarkimit të Vlorës në Bari me 18 mijë shqiptarë të arratisur në bord, kryeministri i Tiranës ironizon me bumin e turizmit bregdetar në kurriz të Pulias: “Ende nuk keni parë gjë” shkruhet në artikullin e Maricla Pastore publikuar sot La Repubblica.
Më 8 gusht të vitit 1991 mijëra shqiptarë u nisën nga brigjet e Durrësit me anijen “Vlora” për një jetë më të mirë drejt Italisë.
Për kryeministrin Edi Rama, sot historia është përmbysur. Ai ka postuar një “meme” që tregon sesi sipas tij kanë ndryshuar kohërat. Në të majtën shkruan: “Shqiptarët nisen për në Itali 1991”, ndërsa në të djathtën: Italianët duke ikur për pushime në Shqipëri 2023.