Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme në aksin rrugor “Lozhan-Strelçë”, ku shoferi ka humbur drejtimin e kamionit duke plagosur 2 shtetas.

 

Sipas uniformave blu bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50, ku shtetasi F.H. ka humbur drejtimin e kamionit dhe është përmbysur në rrugë.

 

Si pasojë e aksidentit mësohet se janë dëmtuar 2 pasagjerë që ndodheshin në këtë automjet.

 

“Mesditën e sotme rreth orës 14:50, në aksin rrugor “Lozhan-Strelcë”, automjeti kamion me drejtues shtetasin F. H., rreth 26 vjeç, banues në Libonik, Maliq, është batuar në rrugë, për shkak se 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij.

 

Policia bën me dije se si pasojë, janë dëmtuar 2 pasagjerë që lëviznin në këtë automjet, shtetasit F. Ll., rreth 57 vjeç, banues në Strelcë, Maliq dhe shtetasi V. S., rreth 60 vjeç, banues në Korçë, të cilët u transportuan në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.

 

Ndërkaq, shtetasi F. H. u shoqërua në ambientet e Policisë, për të kryer veprimet e mëtejshme procedurale”, tha policia.

 

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të këtij aksidenti.