Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina përmes një deklarate për mediet, shprehu sot shqetësimin e kësaj partie në lidhje me lidhjet e politikës me krimin e organizuar.

 

Sipas saj, si në rastin e inceneratorëve, edhe në rastin e ndërtimeve në Tiranë duket qartazi se paratë e botës së krimit po pastrohen në kulla dhe beton.

 

“Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha i bëjnë thirrje Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që të vijojë punën në hetimin deri në fund të inceneratorëve dhe çdo politikani apo individi të implikuar në të. Sikundër e ftojmë SPAK të hetojë me seriozitet dhe çdo ndërtim, përfshirë dhe kullën më të re në mes të Tiranës (Mali i Tiranës)”, u shpreh Karabina.

 

Sipas saj, vetëm këputja e fijeve të politikës dhe pastrimit të parave të botës së krimit do të mund ta çlirojë politikën nga pengmarrja e krimit dhe t’i krijojë shqiptarëve hapësirë për të përmirësuar jetën e tyre.

 

Për këtë, vuri në dukje ajo, Partia Demokratike ka prezantuar dhe iniciativat e saj që janë vetingu i politikanëve si dhe miratimi i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, jo vetëm për dënimin e korrupsionit, por dhe sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera që fshihen pas oligarkëve.