Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Libohovës, Adil Xhelili, ka komentuar një pikat e programit të tij elektoral për shërbime funderale falas.

 

Xhelili, në Euronews Albania, tha se ky nuk është një premtim elektoral, por një emergjencë për komunitetin.

 

Ai theksoi se në bashkinë e Libohovës nuk ofrohet një shërbim komunal i mirëfilltë, ndërsa theksoi se ky shërbim duhet të reformohet në bazë të nevojave të njerëzve.

 

Më tej Xhelili tha se banorët në raste fatkeqësish, paguajnë shuma të konsiderueshme, për një shërbim që pushteti vendor mund ta ofrojë falas

 

“Pikësëpari njëherë nuk është çështje për të tërhequr votues, apo një premtim elektoral. Është një emergjencë dhe nevojë për komunitetin i cili dita ditës po shpopullohet dhe mosha e tretë është një nga moshat më mbizotëruese në komunitet. Kjo nuk është një e dhënë që duhet përdorur, apo keqpërdorur nga mediat apo portalet.

 

Në bashkinë e Libohovës nuk ofrohet një shërbim komunal i mirëfilltë. Ky shërbim duhet të reformohet në bazë të nevojave të njerëzve. Banorët në raste fatkeqësish, paguajnë shuma të konsiderueshme, për një shërbim që pushteti vendor mund ta ofrojë falas. Nga pikëpamja si trajtohet është sikur ndjell një gjë të keqe, por komuniteti na njeh shumë mirë dhe jemi të kujdesshëm në fjalorin që përdorim. Ky nuk është një premtim, por një përpjekje për t’i ardhur në ndihmë banorëve në raste fatkeqësish, ne duhet të plotësojmë nevojat që ata kanë. Njerëzit paguajnë deri në 750 mijë lekë për një shërbim të tillë ndërkohë që këtë shërbim mund ta ofrojë shërbimi komunal dhe t’i vijë në ndihmë qytetarëve”, tha Xhelili.