Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Samitin Botëror të qeverisjes, i cili u zhvillua në Dubai me pjesëmarrjen e liderëve nga e gjithë bota, përfaqësuesve të lartë të organizatave ndërkombëtare dhe liderëve të sektorit privat, me temë”Formimi i qeverive të së ardhmes”.

Kryeministri Rama ishte i ftuar në panelin “Ndërtimi i Kombeve: A është teknologjia zgjidhja jonë” në një bisedë me ish – Kryeministrin britanik Tony Blair, mbi rolin e teknologjisë në adresimin e sfidave qeverisëse, në një kohë kur Shqipëria renditet ndër vendet me rezultate të spikatura për qeverisjen digjitale.

Toni Blair në fjalën e tij të hapjes u shpreh se, “po jetojmë në një revolucion të jashtëzakonshëm të teknologjisë dhe mesa gjykoj e gjithashtu me gjykimin e një organizate timen që punoj në shumë vende të botës, ky revolucion teknologjik na jep mundësinë të bëjmë diçka që nuk është konceptuar për shumë e shumë vite, që do të thotë ripërfytyrim i vetë shtetit sepse një shtet i një shekulli të XIX-të ishte një shtet minimalist. Nuk bënte shumë për njerëzit, nuk gjeneronte shumë të ardhura, nuk shpenzonte shumë para dhe nuk bënte shumë për njerëzit. Ndërkohë që shteti i shekullit të XX-të u rrit dhe u bë një aparat i jashtëzakonshëm sidomos në kombet e zhvilluara me sasi të mëdha parash që shpenzoheshin, me një ofertë mjaft të madhe parash për qytetarët, por që sot nuk po funksionon në mënyrë shumë efektive”.

“Pyetja për këtë shekull është, a mund ta ripërfytyrojmë shtetin përmes revolucionit të teknologjisë e të ndërtojmë shtete të shekullit të XXI-të që të ofrojnë shërbime shumë më të mira me një kosto shumë më të ulët. Kjo është sfida dhe nuk ka njeri më të mirë për ta diskutuar këtë gjë sesa miku im, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama”, tha ai.

“Shqipëria është një vend që në vitet ’80 e në fillim të viteve ’90, ishte lënë pas bote, ndërkohë që gjatë këtyre viteve ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara. PBB është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë këtyre 10 e kusur viteve dhe Edi si kryeministër është i përqendruar shumë tek revolucioni teknologjik dhe ajo çfarë mund të bëjë ai për vendin e tij”, theksoi Blair.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se, Tony Blair ka qenë frymëzimi për të hyrë në politikë dhe për të  reformuar Partinë Socialiste.

“Pikë së pari dua të korrigjoj paksa prezantuesin sepse u prezantova si kryeministër dhe Toni u prezantua si kryeministri i 51-të i Britanisë, megjithatë dua që t’i them auditorit që unë nuk do të jem as kryeministër, nuk do të isha as një njeri i angazhuar në politikë përpara tij dhe përpara se sa ta njihja, nëqoftëse nuk do të ishte për të dhe përpara se sa ta njihja ishte modeli im dhe frymëzimi për të hyrë në politikë dhe për të  reformuar Partinë Socialiste dhe për të besuar se, jo vetëm politika mund të jetë një forcë për të bërë mirë, por po kështu mund të jetë një rrugë e tretë për të majtën. Doja që kjo të ishte e qartë sepse këtu të gjithë do të kuptoni se nuk do të isha më i privilegjuar se kaq nëse sesa të kem dikë, i cili tashmë është një mik dhe është një nder për këtë, por që është arsyeja kryesore për se unë u bëra kryeministër”, tha Rama./ata