Një 23-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur targat e një automjeti në zonën e Misto Mames.

 

 Sipas policisë, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, po gjatë ditës së djeshme, ka vjedhur targat e 11 automjeteve të ndryshme, në zonën e Yzberishtit, Misto Mames dhe të Kombinatit.

 

Dyshohet se targat e vjedhura do të dërgoheshin jashtë Shqipërisë dhe do të përdoreshin nga shtetas të tjerë, për veprimtari kriminale.

 

Njoftimi i policisë:

 

 “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, kapjen e shtetasve që kryejnë vjedhje dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Plate number”.

 

Si rezultat, u kap në flagrancë duke vjedhur targat e një automjeti, në “Misto Mame”, dhe u vu në pranga, shtetasi J. L., 23 vjeç, banues në Pogradec, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë.  

 

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, po gjatë ditës së djeshme, ka vjedhur targat e 11 automjeteve të ndryshme, në zonën e Yzberishtit, Misto Mames dhe të Kombinatit.  

 

Nga veprimet hetimore dyshohet se targat e vjedhura do të dërgoheshin jashtë Shqipërisë dhe do të përdoreshin nga shtetas të tjerë, për veprimtari kriminale.    

 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 targa të shteteve të ndryshme, të vjedhura.    

 

Vijon puna për dukumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. 

 

Materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.