Një biznesmen dhe ish-agjent i shquar bullgar, u qëllua për vdekje në mes të ditës të mërkurën, tha policia.

 

Autoritetet shtuan se Alexey Petrov vdiq në vendngjarje pasi u qëllua nga persona të panjohur rreth mesditës në një periferi të kryeqytetit, Sofje.

 

Një grua që ishte me të u plagos dhe u dërgua në spitalin e urgjencës me një plagë me armë zjarri.

 

Ndërkaq, sipas mediave të huaja ka nisur procedura paraprake për hetimet dhe policia po punon në vendngjarje.

 

Petrov, 61 vjeç, ishte objektivi i të paktën dy tentativave të tjera kundër tij.

 

Një kampion i karatesë dhe ish-agjent i sigurimit të shtetit, Petrov la punën e tij në polici pas rënies së komunizmit për të filluar një biznes privat.

 

Në fushën e biznesit ai u bë bashkëpunëtor në mbi 50 kompani deri në vitin 2002. Në vitin 2010, ai u arrestua dhe u akuzua për drejtimin e një grupi kriminal të angazhuar në zhvatje, shantazh, trafik droge, pastrim parash dhe evazion fiskal.

 

Ai u lirua me kusht dhe përfundimisht u shpall i pafajshëm, ndërsa vitin e ardhshëm ishte edhe kandidat në zgjedhjet presidenciale.

 

Në vitet e fundit, Petrov drejtonte një nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve në vend. Ai shërbeu gjithashtu si këshilltar i kreut të Agjencisë Shtetërore të Sigurisë Kombëtare dhe për disa kohë ishte edhe pedagog në universitet për ekonomi.

 

Gjatë viteve 1990, vrasjet e personazheve publike ishin një dukuri e zakonshme në Bullgari, por shpërthimi i ri i dhunës ka tronditur vendin.