PSG ka pësuar një humbje befasuese 3-1 ndaj Monacos, që është rivali kryesor këtë sezon. Në mungesë të Mbappe dhe Messit, skuadra e drejtuar nga trajneri Christophe Galtier u duk e dorëzuar që në fillimin e sfidës teksa Aleksandr Golovin i ndëshkoi në minutën e katërt.

Monacos nuk u ndal me kaq, pasi Wissam Ben Yedder do të përfitonte nga një gabim i mbrojtjes pariziene. Megjithatë, PSG gjeti forcat për të reaguar duke shkurtuar diferencën me anë të djaloshit 16-vjeçar Zaire-Emery që shënoi një gol të thjeshtë me portën e zbrazët pas një pasimi perfekt të Juan Bernat në minutën e 39-të.

Gjithsesi Ben Yedder nuk e kishte thënë fjalën e fundit, pasi në fundin e pjesës së parë do të shënonte një gol të bukur, i dyti në këtë sfidë.  Pas kësaj fitoreje, Monaco ngjitet në kuotën e 47 pikëve në vend të dytë ndërsa nga ana tjetër PSG mbetet në kryesim me 54 pikë.