Turistë të shumtë të huaj kanë zgjedhur Shkodrën për të shijuar plazhet e Velipojës dhe sitet kulturore, ushqimin fantastik dhe natyrën e pashoqe.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e disa prej tyre, të cilët vlerësojnë

 

“Zojës Shkodër po i ndrit nuri”, tha Rama.

 

Një turiste nga Kalifornia u shpreh se Shkodra është qytet shumë i pëlqyeshëm. “Si ndihemi në Shkodër? E duam atë. Kemi qenë në shumë qytete në Shqipëri, por Shkodra është shumë qytet i pëlqyeshëm, sepse nuk është shumë i populluar, por në të njëjtën kohë ke çdo gjë që të nevojitet nga ushqimi, kultura, vende për t’u kënaqur, si të shkosh në plazh dhe të kënaqesh. Ejani këtu ka shumë restorante të bukura këtu”, tha ajo.

 

“Në Shkodër duket sikur pranojnë çdo njeri. Ne jetojmë këtu, kemi jetuar në një apartament për 1 vit. Ne e pëlqyem aq shumë, kemi jetuar 1 vit kemi eksploruar gjithçka. Shkodra është qyteti i fundit që kemi vizituar, por do të donim të ishte i pari”, tha një tjetër turist amerikan.

 

“Jemi nga Madridi kemi ardhur para dy ditësh. Kishim dëshirë të shihnim këtë vend dhe organizuam një turne të shkurtër. Ne pamë xhaminë, bashkinë, një park të bukur atje, Fototekën Marubi. Po planifikojmë të shohim liqenin, të hamë peshk në restorantet pranë. Mund të shëtisim me biçikletë buzë liqenit dhe të bëjmë foto, sepse është bukur dhe njerëzit janë të këndshëm”, tha një turist spanjoll.

 

Një turiste holandeze u shpreh se ndihet shumë mirë në këtë vizitë. “Është hera e parë që vizitoj Shqipërinë është një mrekulli. Kemi qenë në liqenin e Komanit, ishte mbresëlënëse. Lumi i Shalës ishte vërtetë i bukur dhe ne kaluam shumë mirë. Ushqimi është i shijshëm, peshku i freskët është me të vërtetë i mirë, është më i mirë se në Holandë”, tha ajo.

 

“Jam nga Uruguaj, Amerika e Jugut. Po e pëlqej qytetin dhe vendin. Në të vërtetë pëlqej malin, ishim dje për ngjitje. Jam i apasionuar pas fotografisë. Tani mezi pres të shoh muzeun. Nuk është hera e parë, kam qenë para 20 vitesh, kur vendi dukej krejt ndryshe. Më përpara ishte e vështirë të gjeje restorante e hotele të mira në atë kohë. Tani duket tip tjetër qyteti, është shumë më mirë”, tha ai.