Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas aksionit të Policisë së Shtetit për lirimin e hapësirave bregdetare publike të zaptuara nga të ashtëquajturit pronarë të plazheve.

 

Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla shprehet se Policia e Shtetit po bën detyrën ndaj vendit e pushuesve dhe do të garantojë “plazhe të lira” në të gjithë vijën bregdetare.

 

Ai thekson se kjo pasuri kombëtare i takon popullit dhe jo abuzuesve të çdo kategorie.

 

Ndër të tjera Balla shton se pushtimi i plazheve apo hapësirave bregdetare publike nga individë që shkojnë e vendosin çadrat dhe ulëset e tyre, pa asnjë lloj lejeje dhe kontrate me shtetin, është një fenomen në zhdukje.

 

“Pushtimi i plazheve apo hapsirave bregdetare publike nga individë që shkojnë e vendosin çadrat dhe ulëset e tyre, pa asnjë lloj lejeje dhe kontrate me shtetin, është një fenomen në zhdukje, por ajo që më habit është guximi i ndonjërit që mendon se nuk e shohim. Policia e Shtetit po bën detyrën ndaj vendit dhe pushuesve dhe do të garantojë “plazhe të lira” në të gjithë vijën tonë të bukur bregdetare. Kjo pasuri kombëtare i takon popullit dhe pushimet u takojnë njerëzve, jo abuzuesve të çdo kategorie”, shkruan Balla.