Kryeministri Edi Rama u ndal sot te ecuria e procesit të integrimit europian, ndërsa theksoi se “Shqipëria u vlerësua me notat më pozitive nga partnerët në Bruksel, për sa i përket procesit ‘screening'”.

Në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, Rama vlerësoi se “jetojmë sot në një kohë të shenjuar nga një transformim historik i Shqipërisë”.

“Kush thotë të kundërtën injoron faktet, apo më keq akoma lufton me faktet si në planin e brendshëm, atë të shtetndërtimit demokratik dhe europian të sistemit të institucioneve të vendit në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik e social drejt anëtarësimit në BE, ashtu dhe në planin e jashtëm, atë të përcaktimit dhe të konsolidimit të vazhdueshëm të një roli proaktiv të vendit në arenën ndërkombëtare”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se progresi i kësaj kohe që është një kohë transformimi të madh është i dukshëm dhe është i përshëndetur botërisht.

“Diplomacia jonë ka hyrë në një dinamikë të re, ka luajtur një rol kyç në zhvillimet transformuese të kësaj kohe, të cilat duhen shtyrë pa dyshim më tutje edhe përmes diplomacisë për të përmbushur vizionin e Shqipërisë 2030”,shtoi kryeministri.

Rama nënvizoi se sot Shqipëria negocion anëtarësimin në BE, pas një procesi të jashtëzakonshëm skanimi të të gjithë sistemit të organizimit të vendit.

“Skuadra kombëtare e Shqipërisë me të gjitha repartet e saj përgjegjëse për 33 kapituj dhe 3 kritere themelore, u vlerësua me notat më pozitive nga partnerët tanë në Bruksel, ku vendi mori një vlerësim të qartë për gatishmërinë për t’ju përmbajtur legjislacionit dhe standardeve të BE-së në të gjitha fushat, si edhe një hartë po ashtu të qartë hapash dhe veprimesh për ta përmbushur më në fund këtë ëndërr të vjetër kombëtare”, shtoi Rama./ata