Humbën orientimin gjatë natës, në një terren të thepisur, në zonën e quajtur “Qafa e Thellë”, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum iu shkojnë në ndihmë 2 turistëve francezë.

 

 

Pas marrjes së njoftimit se 2 turistë francezë kishin humbur orientimin gjatë natës dhe për këtë shkak, kishin mbetur të bllokuar në zonën e quajtur “Qafa e Thellë”, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, të asistuar nga inspektorë të zonave të mbrojtura, kanë organizuar punën për t’iu shkuar në ndihmë këtyre turistëve. Pas 4 orësh kërkime, u bë i mundur lokalizimi i 2 turistëve francezë, të cilët fillimisht janë asistuar me ujë dhe me ushqim, dhe më pas janë shoqëruar nga punonjësit e Policisë, deri te vendi ku ishin akomoduar për qëllime turistike.

 

“2 turistët francezë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar punonjësit e Policisë , për gatishmërinë e treguar. Policia e Shtetit fton çdo qytetar/turist që gjendet në një nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë, të kërkojë ndihmë, dhe reagimi do të jetë i menjëhershëm.”, thuhet në njoftimin e policisë.