Opozita ka zhvilluar sot protestën e radhës para bashkisë së Tiranës. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Partia Demokratike si dhe Partia e Lirisë, kërkuan para dyerve të bashkisë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Gjatë protestës, e cila zgjati më pak se një orë, u dogjën goma, ndërsa fjalimet ishin më të shkurtra për shkak së protestuesit vendosën që t’i bashkohen mosbindjes civile të deputetëve të opozitës para Kuvendit.

Belind Këlliçi, drejtues politik i PD-së për qarkun e Tiranës, akuzoi Veliajn se është në krye të aferës së inceneratorëve. Më tej Këlliçi, i bëri thirrje gjyqtarit Erjon Bani, që t’i njohë me datën e seancën paraprake për inceneratorët.

Ndërsa kryetari i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, Tedi Blushi, tha se është koha e aksionit dhe e përballjes dhëmb për dhëmb, sepse për fat të keq, sipas tij, të gjitha rrugët dhe alternativat e tjera janë ezauruar.

Pas fjalimeve të rastit, grupi i protestuesve iu bashkua protestës së deputetëve të përjashtuar para ambienteve të Kuvendit, ku situata u përshkallëzua dhe forca të shumta të policisë u përplasën me deputetët e opozitës.

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi tha se punonjës të policisë u kanë drejtuar armën deputetëve.

“Punonjës të policisë, të armatosur kanë hyrë në ambientet të Kuvendit të Shqipërisë dhe kanë rrethuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. I kanë drejtuar armën deputetëve të Shqipërisë, i kanë qëlluar në vendin e punës. Nuk ka ndodhur kurrë që në 34 vite në ambientet e brendshme të Kuvendit të hyjnë Forcat Speciale të Policisë për të dhunuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo është fytyra e vërtetë e një krimineli që është në krye të Ministrisë së Brendshme. Mendojnë se do të trembin me Forcat Speciale deputetë të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh Bardhi.

“Siç e patë sot regjimi arriti kulmin, duke kërcënuar nën tytën e armës deputetë, nuk kishte ndodhur kurrë që Forcat Speciale të armatosur gjer në dhëmbë të futen në ambientet e Gardës së Republikës dhe të kërcënojnë përfaqësuesit e popullit, këtu vdes demokracia. Vetëm juntat fusin në parlament polici dhe forca të armatosura. Institucionet kushtetuese janë të mbrojtura nga Garda dhe janë të ndaluara që të futen. E gjitha kjo që patë ju, që nga dhuna ndaj deputetëve brenda ambienteve të parlamentit, që nga prania e Gardës dhe policisë tregon një panik narkoregjimi, që vjen nga mosbindja civile e opozitës.

Edhe kërcënimet që hidhen nga Elisa Spirogjoka, apo stërnipi i Enver hoxhës nuk mund të dërgojnë asgjë tjetër veçse panik, panik dhe panik. Shqiptarët kërkojnë qeveri teknike, sepse nuk mund të shkojnë në zgjedhje me një narko regjim. Sot nuk kanë kaluar 24 orë nga dita kur kreu i narkos u tha shqiptarëve se do të çelë kapitujt e negociatave dhe i çeli nën tytën e armëve. Jemi të vendosur në aksionin tonë të mosbindjes civile”, u shpreh Noka.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, gjatë një prononcimi për mediet u shpreh se parlamenti po shndërrohet në një burg të sigurisë së lartë.

“Shiheni se si kanë vënë hekurat është kthyer në një burg të sigurisë së lartë. Jemi një ditë pas hapjes së kapitujve. A është institucion demokratik ky. Ky është burg, nuk është Parlament ku gratë deputete u dhunuan fizikisht, nuk u lejuam të futeshim brenda, u dhunuam fizikisht. Në cilin Parlament që aderon Bashkimi Europian ndodh kjo? Garda ka marrë urdhër sot që të mos lejohen deputetët e opozitës pa nisur seanca. Ka qenë e qëllimshme ndalimi i deputetëve. Kjo është e paprecedentë. Mundohen të na pengojnë”, tha Vokshi.

Nga ana tjetër deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, duke iu referuar qeverisë, tha se kjo është një bandë horrash.

“Nuk i shpëton njeri burgut. Kjo është një republikë horrash. Do të merrni vesh se është një bandë horrash, ashtu siç bëjnë me opozitën, ashtu po bëjnë edhe me ju”, u shpreh Vasili./ata