TEA (Tourism Events of Albania), kalendari digjital i turizmit është një platformë e mirëorganizuar e programeve turistike, kulturore dhe artistike që u shërben turistëve që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi këtë udhërrëfyes, i cili gjatë kësaj vere ka ndihmuar pushuesit e veçanërisht turistët e huaj për të zbuluar Shqipërinë me gjithçka.

 

TEA është aplikacioni i parë i krijuar në Shqipëri, si kalendari i parë digjital për eventet e turizmit kulturor, sporteve dhe të traditës, i disponueshëm në Apple Store dhe në Play Store.

 

Në aplikacionin TEA pasqyrohen eventet e kategorive të ndryshme si Art Fest, Trashëgimi Kulturore, Festivale Muzikore, Sport, Koncerte, Folklor, Festa Lokale, Arte Pamore, Agroturizëm e Kulinari dhe Teatër. Janë mbledhur në çdo cep të Shqipërisë mbi 1110 evente nga më të ndryshmet dhe TEA sjell informacionin për çdo event, për çdo preference e grupmoshë, në shqip dhe në anglisht.

 

Aplikacioni TEA është i aksesueshëm falas në të gjithë telefonat. Në aplikacion gjenden aktivitetet që ndodhin gjatë sezonit turistik në çdo kohë dhe në çdo vend. Mjafton të vendosësh vendndodhjen dhe aplikacioni do të nxjerrë rezultatet ku veprimtaritë do të jenë të dedikuara për të gjitha grupmoshat.

 

Ky kalendar turistik digjital është realizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit në koordinim me institucione të tjera si Ministria e Kulturës dhe të gjitha bashkitë e vendit./ATSH