Infermierja britanike Lucy Letby u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e të paktën shtatë foshnjave në repartin neonatale në spitalin “Countess of Chester” në Anglinë veriperëndimore.

 

Duke dënuar Letby, gjyqtarja Justice Goss tha se ndikimi i krimit të saj ishte i madh dhe kishte shkaktuar dëme të përjetshme.

 

“Kishte një keqdashje të thellë në kufi me sadizmin në veprimet tuaja. Gjatë këtij gjyqi, ju mohuat me ftohtësi çdo përgjegjësi për keqbërjen tuaj dhe u përpoqët t'ia ngarkoni fajin të tjerëve. Nuk jeni penduar. Nuk ka faktorë lehtësues", shtoi Goss.

 

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se ishte qyqare që njerëzit që kryejnë krime të tilla të tmerrshme të mos përballeshin me viktimat e tyre.

 

Pas një sërë vendimesh individuale gjatë disa ditëve, Letby u dënua të premten për vrasjen e shtatë foshnjave dhe përpjekjen për të vrarë gjashtë të tjerë.

 

Pas një hetimi dyvjeçar, Policia e Cheshire arrestoi infermieren 33-vjeçare në korrik 2018 dhe fillimisht e liroi me kusht. Në vitet në vijim, ajo u arrestua edhe tre herë të tjera përpara se të akuzohej në nëntor 2020.

 

Hetimet filluan kur pati një rritje të vdekjeve të foshnjave të parakohshme në spitalin ku Letby punonte si infermiere nga qershori 2015 deri në qershor 2016.

 

Sipas raportit të policisë rezulton se Letby u ka injektuar foshnjave ajër dhe qumësht të tepërt dhe i ka helmuar me insulinë./AA