Policia e Tiranës njofton se në Krujë është finalizuar operacioni “Mali i Kuq”, ku u sekuestrua një arsenal armësh, ndërsa u arrestua 1 person dhe 3 të tjerë u shpallën në kërkim.

 

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë operacionit në Krujë morën pjesë, Komisariati i Policisë Krujë dhe Forca e Posaçme Operacionale e DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Mali i kuq”.  Ndërsa u sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 21 granata luftarake sulmuese, 17 granata luftarake mbrojtëse, 40 ndezësa unifikues granatash dhe 5.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu, u asgjësuan bimë narkotike që u gjetën të gjetura të kultivuara në afërsi të banesës së shtetasit të arrestuar, në fshatin Shkretë.

 

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kapjen në flagrancë të shtetasve që kryejnë vepra penale, kontrolleve të ushtruara për parandalimin e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe të rasteve të armëmbajtjes pa leje, kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Mali i kuq””, njofton Policia.

 

“Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit M. S., banues në fshatin Shkretë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit S. S., 22 vjeç, A. S., 20 vjeç dhe A. S., 41 vjeç, të tre banues në fshatin Shkretë”, vijon njoftimi.

 

“Këta shtetas kanë kultivuar bimë narkotike në fshatin Shkretë, në afërsi të banesës së shtetasit M. S. Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 21 granata luftarake sulmuese, 17 granata luftarake mbrojtëse, 40 ndezësa unifikues granatash dhe 5.2 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis”, bëhet me dije nga policia.

 

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të kultivimit të 320 bimëve narkotike, të gjetura dhe të asgjësuara më parë nga Policia.   Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim”, përfundon njoftimi i Policisë.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.