Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), reagoi sot pas protestës së zhvilluar nga përfaqësues të autoshkollave në Tiranë.

Sipas DPSHTRR-së, në bazë të të dhënave statistikore dhe monitorimit të ecurisë së shërbimeve në të gjitha drejtoritë rajonale, konfirmohet se shërbimet për lejet e drejtimit kanë vijuar normalisht.

Gjatë ditës së sotme, pjesëmarrja për regjistrime, testime teorike dhe praktike, ritestime, rinovim lejedrejtimi si dhe për çdo shërbim tjetër që ofrohet pranë sporteleve të DPSHTRR është e njëjtë me çdo ditë tjetër pune.

Lidhur me pretendimet dhe protestën e disa autoshkollave, DPSHTRR, bëri të ditur se “nuk kemi të bëjmë me rritje të çmimit, por me rishikim dhe indeksim të tarifave të shërbimeve të lejedrejtimit, të cilat nuk ishin ndryshuar prej 23 vitesh”.

“Ky rishikim tarifash vjen si rrjedhojë e ndryshimeve ligjore të miratuara në dakordësim me grupet e interesit, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe të standardeve të përcaktuara nga direktivat e Bashkimit Europian, për ofrimin e shërbimeve për lejet e drejtimit”, bën të ditur DPSHTRR.

Për arritjen e këtyre standardeve, DPSHTRR thotë se ka investuar në infrastukturë, modernizimin e proceseve të shërbimit që lidhen me autoshkollat dhe kursantët për leje drejtimi, në thjeshtëzimin dhe harmonizimin e këtyre procedurave si dhe shtimin e zyrave të shërbimit për të qenë sa më pranë qytetarëve.

“Sa më sipër “bojkoti” i autoshkollave, në të vërtetë është vetëm një paqartësi e një grupimi shumë të vogël i subjekteve autoshkollë, ndërsa tarifat e indeksuara dhe të miratuara janë të pasqyruara në rubrikat përkatëse në faqen zyrtare të DPSHTRR-së”, informoi DPSHTRR.

Përfaqësues të autoshkollave protestë para Drejtorisë së Patentave, Kashar

Disa përfaqësues të autoshkollave zhvilluan të hënën një protestë, pranë Drejtorisë së Patentave në Kashar, pas miratimit të tarifave të reja të lejes së drejtimit.

Ata u shprehën se nuk janë konsultuar për ndryshimin e çmimit të lejes së drejtimit si dhe formalizimin e sektorit.

Sipas tyre, duhet të miratohet çmimi fiskal për autoshkollat.

“Jemi mënjanuar dhe nuk jemi informuar në kohën e duhur si grup interesi mbi ndryshimin e tarifave të shërbimit nga DPSHTRR-ja, veprime të cilat në mënyre indirekte ndikojnë në punën tonë të autoshkollave dhe të kandidatëve për drejtues mjeti”, u shprehën ata./ata