Pas orësh në luftë me flakët, forcat zjarrfikëse, të ushtrisë dhe ato të emergjencave civile, me ndihmën e madhe edhe të helikopterit Cougar, arritën të neutralizojnë dhe shuajnë zjarrin që mbuloi kurorën e gjelbër të qytetit.

 

Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, e cila tha se “zona vijon të jetë edhe sot nën monitorimin e forcave zjarrfikëse, atyre të ushtrisë dhe punonjësve të bashkisë për shmangien e riaktivizimit të mundshëm të ndonjë vatre zjarri”.

 

“Pa dëme në njerëz apo banesa, por me dëme të pallogaritshme në mjedis ndaj zjarrvënësit dhe shkatërruesit e të mirës së përbashkët duhet të vihen para përgjegjësisë dhe të marrin vetëm përgjigjen që meritojnë”, theksoi Cara.

 

Kryebashkiakja Cara shprehu mirënjohje për gatishmërinë, reagimin e menjëhershëm dhe angazhimin maksimal të Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, Forcave të Armatosura, Emergjencave Civile, forcave zjarrfikëse të Kurbinit dhe bashkive të tjera, strukturave të Policisë së Shtetit dhe për këdo që kontribuoi në shuarjen e këtij zjarri me përmasa të mëdha.

 

Për shuarjen e zjarrit në Laç u angazhuan 50 efektivë të Forcave të Armatosura, helikopteri Cugar, 2 mjete zjarrfikëse të FA dhe 4 mjete zjarrfikëse nga MZSH Kamëz, Lezhë dhe Mirditë.Policia arrestoi shtetasin V. H. 41 vjeç, pasi ishte autori i zjarrvënies.