Birra vendase vijon të humbasë konkurrueshmërinë, për shkak të çmimeve më të larta se birra e importit, e ndikuar nga kostot e larta prodhuese.
Për muajt janar-korrik prodhimi vendas sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave është ulur rreth 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.
Në 7 muaj janë prodhuar 18,9 milionë litra birrë nga 23,5 milionë litra birrë që u prodhuan vjet.
Sakaq në pikun e sezonit turistik operatorët raportojnë rënie të konsumit të birrës dhe për shkak të papërballueshmërisë së kostove kanë nisur shkurtimin e punonjësve.
Një prodhues tha për Monitor se krahasuar me vjet nga janari deri tani konsumi është tkurrur 30% duke i vendosur kompanitë përballë riskut të falimentimit. Për këto arsye ka shkurtuar 10% të punonjësve.
Tkurrje të konsumit krahasuar me vjet konstatohet edhe nga prodhuesit e birrës “Stela”, “Elbar” dhe “Puka” të cilët shtojnë se ardhja e turistëve të huaj nuk po rikuperon konsumin.
Çmimet më të larta të birrës vendase kundrejt disa birrave importuese sipas prodhuesve kanë ndikuar në rënien e konsumit.
Fabrikat prodhuese pohojnë se disa marka të huaja birrash, si: “Peja”, “Peroni”, “Niksic” dhe birra gjermane “Welfbrau” po shiten 4 deri 5 lekë më pak se birrat vendase.
Kompanitë vendase theksojnë se nuk mund të dalin me çmime më të lira, pasi kostot fikse të prodhimit janë të larta. Në këtë situatë ata pohojnë se vetëm rikthimi i akcizës me fashë do të mbronte prodhimin vendas.
“Prodhuesit vendas nuk mund të dalin me çmime më të lira, pasi kostot fikse janë tepër të larta. Prodhuesve të mëdhenj u pjesëtohen kostot për më shumë njësi.
Kjo ishte arsyeja përse ekzistonte fasha e akcizës dhe arsyeja përse shumë shtete të tjera aplikojnë fashën në akcizë. Pra fasha funksiononte si një rregullator.
Gjithashtu prodhuesit më të mëdhenj përfitojnë çmime më të ulëta të lëndës së parë, pasi blejnë më shumë sasi”, pohon administratori i fabrikës së birrës “Stela” Enzo Panteqi.
Për rënie të konsumit të birrës vendase më herët pohoi edhe Kryetari i Shoqatës së Birrës Vendase dhe të Mikronjësive Artizanale Xhimi Begeja.
Sipas tij edhe pse çmimet kanë mbetur të pandryshuara dhe se birrat artizanale vijojnë të kërkohen më së shumti nga turistët e huaj, krahasuar me vjet shitjet janë më të ulëta.
Por ndryshe ka ndodhur me birrën e importit vijojnë të zgjerojë terrenin në tregun shqiptar duke zënë 62% të konsumit për muajt janar-korrik 2023.
Sasia e importit për këtë periudhë u rrit rreth 9% krahasuar me vitin e kaluar. Në total, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për 7-mujorin, në tregun shqiptar kanë hyrë 30,3 milionë litra birrë, kundrejt 27,9 milionë litra që u importuan vjet.
Njëzëri prodhuesit vendas kishin paralajmëruar disa herë se dyfishimi i akcizës jo vetëm do të rriste peshën e birrës së importit në treg, por do të çonte drejt falimentimit industrinë vendas.
Tashmë prej gati 7 muaj nga nisja e zbatimit të akcizës 710 lekë/Hl prodhuesit e birrës shqiptare vijojnë të jenë në gjendje të rënduar nga shtimi i kostove nga akciza dhe shtrenjtimi i lëndëve të para.
Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë.
Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj./Monitor/