Shpenzimet totale të buxhetit të shtetit për gjysmën e parë të vitit regjistrohen në 291.3 miliardë lekë apo afro 2.9 miliardë euro. Por si u shpërndanë këto para në kategori të ndryshme dhe cilët ishin sektorët që morën më shumë?

Të dhënat e detajuara zyrtare nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë të vitit tregojnë se nga 10 kategori në total, mbrojtja sociale është ajo që merr pjesën më të madhe të “tortës” nga buxheti, ku për periudhën janar-qershor, shpenzimet për këtë kategori regjistrohen në  afro 99.8 miliardë lekë.  Tek mbrojtja sociale përfshihen pensionet, si dhe të gjitha pagesat që jepen nga Institutit i Sigurimeve Shoqërore për një sërë përfituesish.

Shërbimet e përgjithshme publike listohen në vendin e dytë, ku në 6 muaj janë shpenzuar rreth 56.6 miliardë lekë, zë në të cilin përfshihen dhe investimet kapitale.

Një peshë të konsiderueshme zë dhe arsimi, pasi shpenzimet për këtë sektor regjistrohen në vlerën e 33,2 miliardë lekëve, shifër në të cilën përfshihen edhe pagat për mësuesit.

Rreth 31,9 miliardë lekë janë shpenzuar për shëndetësinë, ku veç investimeve në godina, përfshihen dhe pagat dhe shpërblimet për bluzat e bardha.

Çështjet ekonomike kanë marrë një buxhet prej 19,9 miliardë lekësh në 6 muaj, ku përpos pagesave për papunësinë dhe ndihmën e ekonomike, përfshihen dhe grantet e dhëna për mbështetjen e bizneseve.

Rendi dhe siguria publike kanë marrë një buxhet prej 19,4 miliardë lekëve, i cili mbulon edhe pagat mujore të uniformave blu.  Për strehimin dhe komoditetet e komunitetit janë akorduar 13.6 miliardë lekë. Nga ana tjetër 8.8 miliardë lekë kanë shkuar për sektorin e mbrojtjes.

Referuar të dhënave, më pak buxhetit të shtetit i “kushton” argëtimi, kultura dhe çështjet fetare, kategori për të cilën janë shpenzuar 4.7 miliardë lekë dhe mbrojtja e mjedisit, për të cilën kanë shkuar rreth 3.1 miliardë lekë gjatë gjysmës së parë të vitit./Tema