Kërkesa ende e lartë për të blerë apartamente në Tiranë, po shton lejet e ndërtimit për prona të patundshme. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në tre muajt e parë të vitit u dha leje për ndërtimin e 102 objekteve me sipërfaqe 231 mijë 968 metër katrorë. Në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, lejet janë rritur me 8.5 për qind në numër dhe 16.2 për qind në sipërfaqe.
“Do të thotë se nevoja për investim dhe nevoja për ndërtim të jetë po e lartë siç ka qenë në këtë 10 vitet e fundit. Sipas asaj që ne parashikojmë, do të jetë kështu edhe në 10-15 vitet e ardhshme”, thotë për A2 CNN Ilir Hebovija, nga Shoqata e Ndërtuesve.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit të dhëna në kryeqytet në harkun e muajve janar-mars tejkalon shifrën e 9.1 miliardë lekëve apo rreth 90 milionë euro. Në raport me një vit më parë vlera e përafërt e ndërtimeve e cila përllogarit koston minimale të investimit u rrit me 38.7 për qind.
“Ne e kemi ndjerë në çdo hapësirë, jo vetëm të ndërtimit rritjen e kostos së ndërtimit. Për shkak të rritjes së kostove të lëndëve të para, karburanti është rritur. Në tregjet rajonale dhe ato më gjerë ka rritje të kostove”, thotë Hebovija.
Po çfarë mesazhi përcjellin shtimi i ndërtimeve dhe rritja e kostove në drejtim të çmimeve të apartamenteve? A to të vijojnë të shtrenjtohen shtëpitë?
“Unë mendoj se kanë arritur një moment saturimi. Sigurisht që ato janë pak mbi mundësitë e atyre që duan të blejnë. Duke qene se tregu e mban këtë çmim, ndaj janë edhe këto çmime. Mendoj se nuk do të kemi rritje të mëtejshme. Nuk do të kemi ndryshime të ndjeshme nga ç’ka ndodhur 5 vitet e fundit”, thotë Hebovija.
Por nëse në Tiranë ka rritje të kërkesës për leje ndërtimi, marrë në rang vendi, në tre muajt e parë të vitit u dhanë 27.5 për qind më pak se në po të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë. Thënë ndryshe janë dhënë 311 leje ndërtimi. Gati 70 për qind e atyre që u dhanë në harkun e muajve janar-mars, kanë qenë për objekte banimi./Tema