Një 26-vjeçar u arrestua në pikë kufitare të Morinës, pasi po tentonte të kalonte nga Kosova drejt Shqipërisë armë zjarri.

 

 

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve me përzgjedhje, për shkak të fluksit të qytetarëve në hyrje/dalje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe krimeve të tjera kufitare, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transcendence”, si rezultat i të cilit u parandalua dhe u godit një tjetër rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Kosova, drejt Shqipërisë.

 

Në kuadër të këtij operacioni, është kapur në flagrancë dhe është arrestuar nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës, shtetasi I. S., 26 vjeç, banues në Shkodër.

 

 

Gjatë kontrollit në vijë të dytë, në hyrje të RSh-së, 26-vjeçarit i janë gjetur me vete dhe në çantë, 2 armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin në vendin tonë.

 

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, është koordinuar me Policinë e Shkodrës, ku është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit I. S., në Shkodër, ku janë gjetur një tjetër armë zjarri pistoletë, fishekë luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, 400 fara të dyshuara të kësaj bime dhe 2 targa automjeti, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 pistoletat që iu gjetën shtetasit I. S., në PKK Morinë.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.