Në Dukagjin ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës Prekal-Kir, e cila do të ndikojë në zhvillimin dhe ripopullimin e zonës së Dukagjinit.
Kryetari i bashkisë bashkisë së Shkodrës, Benet Beci pa nga afër ecurinë e punimeve, ndërsa theksoi se “projekti i hartuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit financohet 100% nga qeveria, ashtu siç edhe e premtuam me kryeministrin Rama pak muaj më parë”.
Sipas tij, me përfundimin e rrugës, Dukagjini do të jetë një zbulim për Shkodrën, për turizmin e zhvillimin ekonomik.
“Kjo është faza e parë e këtij investimi, rruga ka gjatësi 17 km, 5 m gjerësi, kanalizime, ura, sistemime dhe mure mbrojtëse. Faza tjetër do jetë më vonë”, theksoi Beci.
Kryebashkiaku Beci u shpreh se “jam i surprizuar me disa nga banorët që kanë hapur gardhet dhe janë gati që të bashkëpunojnë me firmën që po kryen punimet dhe me bashkinë”.
“Objekt i këtij projekti është zgjerimi i trupit të rrugës dhe ndërtimi i të gjithë veprave të artit përgjatë gjithë këtij segmenti të parë i rrugës së Dukagjinit”, shtoi Beci.
Banorët e zonës që jo vetëm e mirëpresin fillimin e këtij investimi të shumëpritur, por edhe po bashkëpunojnë maksimalisht për mbarëvajtjen e punimeve.
Banori i zonës së Dukagjinit, Gjon Vojvoda tha se “kjo rrugë do të hapë perspektivë, do të kthejë njerëzit e ikur do zhvillohet turizmi, belgtoria, bimët medicinale”.
Një tjetër banor, Kol Kodrari tha se “falënderoj Becin, pasi është i vetmi kryetar në 30 vjet që e ka mbajtur premtimin dhe po fillon zbatimin para afatit”.
Në shkurt të këtij viti banorët e Dukagjinit protestuan para bashkisë e prefekturës, duke kërkuar ndërtimin e rrugës lidhëse me Shkodrën.