Shqipëria dhe Kosova do të lehtësojnë procedurat për produktet me origjinë joshtazore në pikat kalimit kufitar.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave u miratua marrëveshja për bashkëpunim mes dy vendeve.
Shkëmbimet tregtare ems dy vendeve gjatë 7-mujorit të këtij viti llogariten mbi 30 miliardë lekë.
Konkretisht eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-korrik ishin 23.7 miliardë lekë. Ndërkohë, importet për 7-mujorin llogaritën 6.4 miliardë lekë.
Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.
Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera.
Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe kastravecat.
Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.
Janë 1040 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi.
Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë.