Pas analizës që “Scan Intel” ka bërë  më herët për qarqet më  kursimtare në vend, këtë herë është ndalur tek kreditimi .Në tremujorin e tretë të vitit 2024, huatë totale të subjekteve në Shqipëri arritën në 798.6 miliardë lekë, një rritje prej 86.7 miliardë lekësh ose 12.2% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023. Kjo rritje reflekton zhvillimet pozitive në ekonominë e vendit, me disa qarqe që përjetuan rritje të konsiderueshme të huave, ndërsa të tjera regjistruan ulje të lehta.

Sipas shifrave të  huasë në 12 qarqet e Shqipërisë, Lezha vijon të kryesojë me rritjen më të lartë në nivel kombëtar. Konkretisht, ky qark  regjistroi një rritje nominale prej 16.3% ku vlera e huave arriti në  9.6 miliardë lekë në periudhën korrik-shtator 2024, nga 8.3 miliardë lekë  që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 Pas saj renditet Tirana. Në tremujorin e tretë të vitit 2023, huatë totale për Tiranën ishin 532.9 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtin tremujor të vitit aktual  arritën në 612.2 miliardë lekë, duke regjistruar një rritje vjetore prej 14.9%. Ky rezultat tregon përqendrimin e aktivitetit ekonomik dhe zgjerimin e investimeve në kryeqytet, si dhe rritjen e kërkesës për kredi nga bizneset dhe individët.

Durrësi, si porti kryesor i Shqipërisë, ka mbajtur një rritje të qëndrueshme të huave. Nga 47.2 miliardë lekë në T3 2023, huatë arritën në 47.9 miliardë lekë në T3 2024, duke shënuar  një rritje modeste prej 1.5%.

Në jug, Fieri dhe Vlora regjistruan rritje të moderuar të huave. Në Fier, huatë totale arritën në 14.1 miliardë lekë në T3 2024, nga 13.4 miliardë lekë në T3 2023, një rritje prej 5.2%. Ndërsa në Vlorë, huatë u rritën nga 16.2 miliardë lekë në 16.9 miliardë lekë, që përfaqëson një rritje prej 4%.  Në Korçë u shënua një rritje e lehtë e huave, nga 9.9 miliardë lekë në T3 2023 në 10.3 miliardë lekë në T3 2024, ose një rritje prej 3.4%. Ky rezultat tregon një stabilitet ekonomik të qëndrueshëm në këtë qark, duke ruajtur kërkesën për kredi në nivele të larta.

Në të kundërt, Elbasani  ishte i vetmi qark që përjetoi ulje të kreditimit. Shifrat konfirmojnë se në Elbasan, huatë ranë  me 1.1%./Scan