Policia e Dibrës ka arrestuar një 50-vjeçar të shpallur në kërkim prej 6 vitesh pasi ka plagosur një person me thikë.
Mësohet se në pranga ka rënë Arben Kadriu. Ky i fundit më datën 31 dhjetor të vitit 2017, në fshatin Trebisht, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur rëndë me thikë, bashkëfshatarin e tij, shtetasin N.O.
Për 50-vjeçarin Gjykata e Dibrës ka caktuarmasën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”
NJOFTIMI I POLICISË
U konfliktua dhe plagosi me mjet prerës (thikë), bashkëfshatarin e tij, në dhjetor 2017, kapet dhe vihet në pranga 50-vjeçari që ishte i shpallur në kërkim.
Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe ato të Forcës “Shqiponja”, të DVP Dibër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, në vijim të kërkimeve dhe punës operacionale për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për vendndodhjen e një të kërkuari si dhe në zbatim të planit-operacional të Policisë së Shtetit, kanë organizuar punën dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Years”.
Si rezultat në orët e para të mëngjesit të sotëm, u kap dhe u ndalua shtetasi A.K., 50 vjeç, banues në fshatin Trebisht. Gjykata e Dibrës i ka caktuar 50-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, pasi me datë 31.12.2017, në fshatin Trebisht, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), bashkëfshatarin e tij, shtetasin N.O.